Unë jam Flori, jam 24 vjeç. Jam profesionist në realizimin e dëshirave të njerëzve mbi pamjen e tyre, kjo përmes krehjeve, prerjeve dhe lojës me ngjyrat e flokëve. Të paktën kjo është çfarë klientët e sallonit ku punoj si parukier thonë shpesh rreth meje. Ndërsa unë, ndërkohë thur ëndrrat e mia për të hapur një ditë një hapësirë timen, ku shpresoj përveç shërbimeve të parukerisë, të jetë një vend në të cilin njerëzit të kalojnë kohë edhe duke u argëtuar e duke pirë një gotë me njëri tjetrin. Një tjetër dëshirë e çmendur është që të mbulohem totalisht me tattoo. Deri tani kam vetëm pesë të shpërndarë nëpër trup e sapo mbaroj njërin, bëj planin për atë të rradhës. U bënë gjashtë vite që jetoj në Tiranë dhe thuajse çdo ditë e nis me palestër për ta vazhduar në sallon. Çmenduritë ja rezervoj natës, por pavarësisht orëve të vogla, ia dal të zgjohem përditë shumë herët dhe të mos i ngatërroj bojërat e as kërkesat e klienteve të mia.