
Sign up to save your podcasts
Or


Në episodin e dhjetë të podcastit “Rrugëtimi”, flasim për një prej temave që prek pothuajse secilin prej nesh: sigurinë kibernetike.
Me Drenusha Salihun nga Women for Cyber diskutojmë për mënyrat më të zakonshme se si qytetarët mund të bëhen viktima të mashtrimeve online, phishing-ut dhe vjedhjes së llogarive në rrjetet sociale.
Flasim edhe për rrezikun e përgjimit përmes pajisjeve elektronike, rëndësinë e fjalëkalimeve të forta dhe autentikimit me dy faktorë, përdorimin e Wi-Fi publik dhe mënyrat se si inteligjenca artificiale po e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes përmbajtjes reale dhe deepfake.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit i kushtohet edhe fëmijëve. Çfarë rrezikojmë kur publikojmë fotografitë e tyre në internet? Çfarë duhet të dinë prindërit për lojërat online dhe komunikimin e fëmijëve me persona të panjohur?
Drenusha rrëfen gjithashtu rrugëtimin e saj profesional dhe sfidat e të qenit grua në një industri që tradicionalisht është dominuar nga burrat.
#Rrugëtimi #Telegrafi #DrenushaSalihu
Në episodin e nëntë të podcastit “Rrugëtimi”, e ftuar është Iliriana Jaka Gashi, drejtoreshë e organizatës Women for Women, e cila ndan përvojat e saj personale dhe profesionale, nga studimet për mjekësi dhe periudha e luftës në Kosovë, deri te angazhimi për fuqizimin ekonomik dhe social të grave.
Një rrëfim për jetën, luftën, sfidat dhe forcën për të vazhduar përpara.
“Mos heqni dorë!” – është mesazhi i saj për gratë dhe vajzat që ende nuk e kanë hedhur hapin e parë drejt ëndrrave të tyre.
#Rrugëtimi #Telegrafi #IlirianaJakaGashi
Në episodin e tetë të podcastit “Rrugëtimi”, e ftuar është Brikena Berisha, ekonomiste, menaxhere projektesh në Iniciativën Kosovare për Stabilitet dhe anëtare e Forumit Ekonomik të Gruas.
Në një diskutim për ekonominë dhe mirëqenien në Kosovë, Berisha flet për tregun e punës, pozitën e grave, koston e jetesës, lehoninë, informalitetin, sektorin privat dhe emigrimin.
Berisha analizon gjithashtu standardin e jetesës dhe shpenzimet e familjeve kosovare, duke argumentuar se rritja e konsumit nuk duhet të ngatërrohet me rritjen e mirëqenies. Një pjesë e rëndësishme e diskutimit i kushtohet emigrimit. Sipas Berishës, paga nuk është arsyeja e vetme e largimit nga Kosova: shëndetësia, shkollimi dhe mbrojtja sociale janë ndër problemet sistemike që ndikojnë në këtë vendim.
Në episod diskutohet edhe ardhja e punëtorëve të huaj në Kosovë, profesionet deficitare, informaliteti, Ligji i Punës dhe propozimi për krijimin e një Fondi të Sigurimeve Shoqërore.
Nga biologjia dhe puna në arsim, te papunësia dhe më pas ndërtimi i një biznesi me bimë mjekuese dhe aromatike.
E ftuar në episodin e shtatë të podcastit “Rrugëtimi” është Havushe Bunjaku, themeluese e 99 Lule. Bunjaku rrëfen se si e nisi biznesin pa financa, sfidat e para, investimet dhe zhvillimin e 99 Lule ndër vite.
Një pjesë e rëndësishme e rrëfimit është bashkëpunimi me gratë. Ajo tregon për hezitimet e para, vështirësitë për t'i bindur të përfshihen në këtë veprimtari dhe ndryshimin që sollën të ardhurat e fituara nga puna e tyre. Sot, 99 Lule bashkëpunon me mbi 75 gra me kontrata të rregullta, ndërsa sipas Bunjakut, mbi 300 gra kanë përfituar ndër vite nga projekte të ndryshme.
Në këtë episod flasim gjithashtu për bimët mjekuese dhe aromatike, kultivimin dhe grumbullimin e tyre, standardet organike, zhvillimin e produkteve dhe mësimet që Havushe Bunjaku ka marrë gjatë një rrugëtimi rreth 16-vjeçar.
Në episodin e gjashtë të podcastit Rrugëtimi, e ftuar është Flandra Marmullaku, CEO dhe bashkëthemeluese e Data4x, fituese e çmimit ICT Women of the Year nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.
Flandra rrëfen rrugëtimin e saj nga gazetaria në ndërmarrësi dhe teknologji, duke treguar se si përvoja në media u kthye në bazë për ndërtimin e një kompanie që punon me të dhëna, analiza ekonomike dhe inteligjencë artificiale.
Flandra flet edhe për Data4x, platformën që synon t’i strukturojë të dhënat institucionale në një vend, për potencialin prej një miliard eurosh në zëvendësimin e importit me prodhim lokal, si dhe për nevojën që Kosova të kapitalizojë më shumë talentin dhe fuqinë punëtore në teknologji.
Në episodin e pestë të podcastit “Rrugëtimi”, mysafire është Jehona Krasniqi-Morina, ish e burgosur në Burgun e Lipjanit, e cila rrëfen për arrestimin, vuajtjet në burg, përballjen me të kaluarën dhe procesin gjyqësor që ka rikthyer plagë të vjetra pas shumë vitesh.
Ajo flet për momentin kur u përball në gjykatë me ish-gardianen, për dhimbjen që rikthehet sa herë përmenden ato ngjarje, por edhe për ndjenjën e lehtësimit që drejtësia më në fund ka nisur të merret me rastin.
Në këtë rrëfim, Jehona ndan edhe momentin prekës me nënën e saj në burg, jetën pas lirimit, përballjen me paragjykimet, rrugëtimin në media e arsimim, si dhe mesazhin për gratë që dhimbjen të mos e lënë peng, por ta kthejnë në forcë.
Në episodin e katërt të podcastit “Rrugëtimi”, e ftuar është Teuta Sahatqija – diplomatja, ish-deputetja dhe gruaja e parë programere në Kosovë. Nga rrugëtimi i saj në teknologji dhe diplomaci, te rikthimi në inteligjencën artificiale, ky episod sjell një bisedë inspiruese për sfidat, suksesin dhe të ardhmen që po ndryshon me ritme të shpejta.
Teuta flet për: Përvojën në diplomaci në New York, inteligjencën artificiale dhe ChatGPT, profesionet që rrezikohen nga AI, rolin e grave në teknologji, sfidat që e formësuan gjatë jetës, mesazhin motivues për të rinjtë
Në episodin e tretë të podcastit “Rrugëtimi” me autore Jehona Hulaj, e ftuar është Fahrije Hoti, themeluese e ndërmarrjes “Krusha” dhe një nga gratë më inspiruese në Kosovë.
Ajo rrëfen historinë e saj të jashtëzakonshme – nga humbja e bashkëshortit gjatë luftës, sfidat e pasluftës dhe përballja me realitetin e vështirë, deri te vendimi për të nisur nga zero dhe për të ndërtuar një biznes që sot është ndër më të njohurit në vend. Gjatë këtij rrugëtimi, Fahrije Hoti tregon se si nga një nismë për mbijetesë, arriti të krijojë një kompani që jo vetëm siguron të ardhura, por edhe fuqizon dhe punëson gra të tjera, duke u bërë zë i tyre në shoqëri.
Ky është një rrëfim për forcën, qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë për të mos u dorëzuar – edhe në momentet më të vështira.
Në episodin e dytë të podcastit “Rrugëtimi”, e ftuar është Bardha Qirezi – profesioniste me mbi 20 vite përvojë në fushën e arsimit dhe zhvillimit organizativ.
Në këtë bisedë inspiruese, ajo rrëfen rrugëtimin e saj nga një familje ku arsimi ishte vlerë themelore, deri te udhëheqja e organizatës Edu Task dhe angazhimi në reforma arsimore në Kosovë. Bardha flet për sfidat si grua në lidership, rëndësinë e integritetit, balancën mes karrierës dhe familjes, si dhe filozofinë e saj: “Mos thuaj kurrë s’di – mësoje”.
Një episod me shumë reflektime për edukimin, suksesin, dështimet dhe mënyrën si formësohet karakteri përmes përvojave të jetës.
Në episodin e parë të podcastit “Rrugëtimi” me autore Jehona Hulaj, e ftuar është Vjollca Çavolli, një nga figurat më me ndikim në sektorin e teknologjisë në Kosovë. Ajo rrëfen historinë e saj personale – nga ëndrra për t’u bërë programerja e parë femër, sfidat që ia ndryshuan rrugën jetës, deri te roli i saj në zhvillimin e industrisë së IT-së në vend.
Gjatë bisedës, Çavolli ndan pikëpamjet e saj për rolin e teknologjisë si motor ekonomik, përfshirjen gjithnjë në rritje të grave në këtë sektor, si dhe sfidat dhe mundësitë që e presin Kosovën në të ardhmen digjitale.
Ky episod sjell një mesazh të fuqishëm për të rinjtë, veçanërisht për vajzat që të besojnë në potencialin e tyre dhe të bëhen pjesë e botës së teknologjisë.