Trashëgimia letrar e e Kutelit paraqitet e gjerë dhe e pasur, origjinale dhe përherë e freskët. Ajo është e gatuar me historinë dhe jetën e gjallë të popullit, sidomos me dertet e gazet e fshatarësisë, me frymën e një psikologjie e mendësie thjesht shqiptare, me indin dhe nervin e fjalës autentike shqiptare. Veçanërisht, proza i ngjan një rrëfimi të përmallshëm për vendlindjen dhe njerëzit e saj, për karakterin dhe virtytet e bashkatdhetarëve, për visaret e kombit.
Mitrush Kuteli, që është pseudonimi letrar i Dhimitër Paskos (të cilin ai e krijoi nga trajta e shkurtuar e emrit dhe mbiemrit të vjetër të familjes) u lind më 13 shtator 1907 në Pogradec. Në këtë qytet të vogël piktoresk, në mes pyjeve të gështenjave dhe ujërave të liqenit, ai do të kalonte fëmijërinë. Vendlindja i derdhi në shpirt që për së vogëli bukurinë e natyrës së saj të mrekullueshme, i foli në gjuhën e butë të trevës së vet, e mëkoi me këngë e zakone shqiptare, i rrëfeu histori të moçme. Pleqtë dhe plakat e mëhallës, gjyshja dhe nëna e mbi të gjitha, i ati, Pandi Pasko Kuteli, u bënë mësuesit e parë të shkrimtarit të ardhshëm. Babai, rrobaqepës shajaku e murator, bojaxhi e zograf, që jeta e detyroi të mërgonte sa e sa vjet në Rumani, mbeti për Mitrushin shëmbëlltyra e njeriut të ndershëm të punës dhe e shqiptarit atdhetar. Prej tij mësoi së pari të lexonte e të shkruante shqip, dëgjoi të flitej për lëvizjen patriotike e për N. Naçon. Në dyqanin e vogël, që i ati e hapi sapo u kthye në atdhe, duke u bërë ndërlidhës i patriotëve dhe përhapës i librave e gazetave shqip, djali i vogël i Kutelëve përjetoi atmosferën e lëvizjes kombëtare. Në këtë kohë do të shikonte të bastisej dyqani e të burgosej i ati nga pushtuesit. Në shtëpinë e Pandi Shqiptarit, si njihej ai në Pogradec, do të hynin e dilnin luftëtarë me zë, Dervish Hima e Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji e Abdyl Ypi. Prej tyre do të dëgjonte, mes të tjerave, rrëfimet tronditëse për Gjokë Shqiptarin, këtë korrier trim të rilindasve, që vente e vinte nga Sofja e Bukureshti gjersa e vranë në pabesi agallarët e Trebinjës. Tërë vitet e fëmijërisë i kaluan nëpër Pogradecin dhe Mokrën e ndezur nga lufta për çlirimin dhe mbrojtjen e atdheut.
I dhënë në rradhë të parë pas përkthimeve, Kuteli gjatë këtyre viteve, sidomos dhjetë vjetët e fundit, do të vazhdojë të merret dhe me krijimtari letrare. Do të merret me rrëfimet, duke i përpunuar e pasuruar, po më shumë do të jepet pas prozës së gjatë, dhe fryt i kësaj është botimi i disa kapitujve të romanit, “Në një cep të Ilirisë së Poshtme”, i pjesës së parë të një romani tjetër “Mërgim e kthim”. Në të njëjtën kohë, duke i qëndruar besnik prirjeve të brendshme, po dhe njohjes së gjithanshme të folkorit, ai i vihet punës për t’i ritreguar brezit të ri legjendat e baladat e popullit duke botuar vëllimet “Tregime të moçme shqiptare” dhe “Xinxifilloja”. Me këtë frymë autori shkruan dhe novelën përrallë “Netë me përralla në Fshatin e Qepëve”. Ndjeshmërinë poetike dhe përtëritjen e përhershme të artistit, Kuteli do ta tregojë dhe në vjershat e ndryshme që do të botojë kohë pas kohe e sidomos me poemën “Pylli i gështenjave”.
Me vepra gj ithnjë nëpër duar, me plane të aferta e të largëta, me një angazhim të vazhdueshëm krijues do t’i kalojnë shkrimtarit vitet. Por koha dhe puna sfilitëse e mjeshtrit të hollë të Qalës nuk mbetën pa pasoja për shëndetin e tij. Megjithë lodhjen dhe sëmundjet e herëpashershme, Kuteli nuk dinte të pushonte, Përkundrazi, mendonte që pasi të kryente romanin ilir, të shkruante trilogjinë “Njerëz nëpër jetë”, me temë nga vendlindja dhe të hartonte një histori të Bankës Kombëtare Shqiptare, si kështjellë e kapitalit italian, etj. Mirëpo puna kolosale që kish dashur të përballonte, mundimi fisnik i fjalës, betejat shumëvjeçare në tavolinë e kishin lodhur e rraskapitur. Duke gdhirë 4 maj i vitit 1967, disa maj para se të mbushte të 60-tat, zemra e shkrimtarit pushoi përgjithnjë.