
Sign up to save your podcasts
Or


Kur në media raportohet për çështje të cilat lidhen me personat LGBTIQ+ zakonisht bëhet në formë të senzacionit dhe në mungesë të informatave të sakta. Një nga këto raste është çështja e njohjes institucionale të lidhjeve gej dhe lezbike, ku ka shumë pak raportim për mënyrën se si mungesa e kësaj njohje ndikon në çiftet të cilat nuk janë heteroseksuale dhe në vetë personat e përfshirë në këtë lidhje.
Lidhur me këto çështje kemi biseduar me Rina Kikën dhe Erëza Bytyqin për të kuptuar më mirë pasojat e mungesës së ligjit për martesat e seksit të njejtë, përfitimet e njohjes të saj, dallimin në mes bashkësisë civile dhe martesës dhe raste të ndryshme nga rajoni për sfidimin e shtetit nga personat LGBTIQ+.
Moderator: Dardan Hoti
Hulumtues: Roni Idrizaj
Dizajni: Elvira Thaçi
Inçizimi dhe montazha: Gent Gorani
Mysafire: Rina Kika dhe Erëza Bytyqi
Ky podcast është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij podcasti është përgjegjësi e vetme e Sekhmet Institute dhe Sbunker dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian apo Rrjetit për Raportim të Diversitetit 2.0.
Linku në Sbunker.
Në kushte të caktuara ideologjike dhe në regjime të caktuara politike, e keqja ose e liga bëhet normale, e mirëqenë, e rëndomtë ose banale. Dhe pikërisht kjo është e frikshme: se edhe njerëzit më normalë mund të bëjnë krime në rrethana të caktuara dhe në sisteme të caktuara politike. Është kjo një tezë e propozuar në librin e teoricienes së politikës Hannah Arendt, në librin e saj “Banaliteti i së keqes, Ajhmani në Jeruzalem” të botuar në shqip në Tiranë në vitin 2021 me përkthim të Agim Doksanit. Për të biseduar rreth këtij libri, na bashkohet Bleona Kurteshi, studente e masterit në sociologji në Universitetin e Prishtinës.
Moderator: Gëzim Selaci
Mysafire: Bleona Kurteshi
Linku në Sbunker.
Nacionalizmi është një forcë e madhe në shumë shoqëri. Për shumë njerëz, identiteti kombëtar është shtresë e rëndësishme e identitetit të tyre nga i cili burojnë edhe obligime të veçanta etike e politike. Mirëpo, a mund të arsyetohet një identifikim i tillë bashkë me obligimet që krijon ai? A i shërben identifikimi kombëtar ndonjë qëllimi të dëshiruar? Për t’iu përgjigjur pyetjeve si këto, teoricieni i politikës, David Miller në librin e tij “Mbi kombësinë” ka propozuar një argument që e arsyeton identitetin kombëtar dhe e çmon atë si shërbyes të qëllimeve të dëshirueshme etike e politike. Libri është botuar në shqip në Prishtinë në vitin 2022 me përkthim të Greta Avdylit. Për të biseduar rreth këtij libri, na bashkohet vetë përkthyesja e librit, e cila është sociologe e diplomuar në Universitetin e Prishtinës.
Moderator: Gëzim Selaci
Mysafire: Greta Avdyli
Linku në Sbunker.
Për njeriun e lashtë, janë dy mënyra të të qenit në botë: e shenjta dhe profania. E shenjta e shpërfaq vetveten si diçka krejt e ndryshme nga profania; ajo ka të bëjë me kategori transcendente, si Zoti, format, idetë, e të ngjashme. Profania është gjithçka nuk është e shenjtë; ajo emërton ekzistencën në kohë e hapësirë. Kjo është një përmbledhje e librit “E shenjta dhe profania: natyra e fesë” të historianit dhe filozofit të fesë, Mircea Eliade, të botuar në shqip në Tiranë në vitin 2019 me përkthim të Azem Qazimit dhe Denata Qazimit. Për të biseduar rreth këtij libri, na bashkohet Ervina Halili, shkrimtare dhe studiuese e letërsisë në Universitetin e Humboldtit.
Moderator: Gëzim Selaci
Mysafire: Ervina Halili
Linku në Sbunker.
A mund të mbijetojë kapitalizmi? A mund të funksionojë socializmi? Cila është lidhja midis socializmit dhe demokracisë dhe a mund të jenë të pajtueshme ato? Këto janë tri pyetjet kyç të librit “Kapitalizmi, socializmi dhe demokracia” të ekonomistit Joseph A. Schumpeter të botuar në shqip në Prishtinë në vitin 2022 me përkthim të Blerina Brahos. Për të diskutuar rreth këtij libri, na bashkohet Artan Mustafa, profesor i shkencës politike në Universitetin për Biznes dhe Tekonologji në Prishtinë, fusha e studimit të tij përqëndrohet në politikën e krahasuar të shtetit të mirëqenies sociale.
Moderator: Gëzim Selaci
Mysafir: Artan Mustafa
Linku në Sbunker.
Si është zhvilluar truri i njeriut në rrugën e gjatë të evolucionit? Një përgjigjje e kësaj pyetjeje shquan rolin e mishëngrënies së hominidëve dhe gjithçka shoqëruar oreksin e tyre për mish. Ky argument, që thekson funksionin kulturor të mishngrënies dhe gjahut në zhvillimin e aftësive mendore dhe marrëdhënieve e strukturave të hershme sociale, është shtjelluar nga biologu dhe antropologu Craig B. Stanford në librin e tij “Majmunët gjahtarë: mishngrënia dhe origjina e sjelljes njerëzore” të botuar në shqip në Prishtinë në vitin 2020 me përkthim të Arsim Canollit. Për të diskutuar rreth këtij libri, na bashkohet Lekë Shala, student masterit në arkeologji parahistorike në Universitetin e Gjenevës.
Moderator: Gëzim Selaci
Mysafir: Lekë Shala
Linku në Sbunker.
Shumë shoqëri të ashtuquajtura arkaike fisnore janë sisteme të shkëmbimit të dhuratave. Në shoqëri të tilla ka një obligim ritual në lidhje me dhuratën: obligim për të dhënë, obligim për të marrë dhe obligim për të kthyer atë. Kësisoj, dhurata përshkon tërë aspektet e tyre. Studime të sistemeve të tilla janë përmbledhur në librin “Dhurata: forma dhe fryma e këmbimit në shoqëritë arkaike” të sociologut dhe antropologut Marcel Mauss, të botuar në shqip me përkthim të Arton Ahmetajt, në Prishtinë në vitin 2020. Për të diskutuar rreth këtij libri, na bashkohet Arsim Canolli, profesor i antropologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Moderator: Gëzim Selaci
Mysafir: Arsim Canolli
Linku në Sbunker.
Sipas disa pikëpamjeve teorike, kombet janë entitete relativisht të vonshme në historinë njerëzore. Ato janë konstruktuar në modernitet. Në literaturë, këto pikëpamje quhen me një emër përmbledhës “teoria konstruksioniste ose moderniste”. Në mesin e teoricienëve të këtij drejtimi është edhe antropologu shoqëror dhe filozofi Ernest Gellner. Në librin e tij “Kombet dhe nacionalizmi” të botuar në shqip me përkthim të Mentor Aganit, në Prishtinë në vitin 2009, autori ofron një shpjegim të lindjes së kombeve dhe të rolit të lëvizjeve nacionaliste në këto procese. Për të diskutuar rreth këtij libri, na bashkohet Agnesa Haxhiu, pedagoge e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Moderator: Gëzim Selaci
Mysafire: Agnesa Haxhiu
Linku në Sbunker.
Përse disa shoqëri janë të pasura, kurse të tjerat të varfëra? Për arsye të rrethanave gjeografike? Për arsye të kulturës, besimit dhe vlerave? Për arsye të aftësisë, përkatësisht të paaftësisë dhe injorancës së udhëheqësve të tyre politikë? Apo për një arsye krejt tjetër nga këto? Kjo është pyetja që shtrojnë ekonomistët Daron Acemoglu dhe James A. Robinson në librin e tyre “Pse dështojnë kombet: origjina e pushtetit, prosperitetit dhe varfërisë” të botuar në shqip në Prishtinë në vitin 2019 me përkthim të Florim Canollit. Për të biseduar rreth këtij libëri, na bashkohet Bekim Baliqi, profesor në Departamentin e Shkencës Politike në Universitetin e Prishtinës.
Moderator: Gëzim Selaci
Mysafir: Bekim Baliqi
Linku në Sbunker.
Moderniteti karakterizohet me racionalitet, përparim të teknologjisë dhe zhvillim të burokracisë, si dhe ca karakteristika tjera të dëshirueshme e të pëlqyeshme për ndjesitë bashkëkohore. Por, tragjedi njerëzore, madje të përmasave gjenocidale ndodhin në shoqëritë moderne, siç ka ka qenë holokausti gjatë Luftës së Dytë Botërore në Europë. A mund të shihet holokausti si rrjedhojë e modernitetit? Kësaj pyetje i jep përgjigje pohuese sociologu Zygmunt Bauman në librin e tij “Moderniteti dhe holokausti” të botuar në shqip në Tiranë me përkthim të Enis Sulstarovës, në vitin 2015. Për të biseduar rreth këtij libri, na bashkohet Albert Mecini, pedagog i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Moderatori: Gëzim Selaci
Mysafiri: Albert Mecini
Linku në blogun Sbunker: https://bit.ly/3GcZh6z
From the publisher's feed