Unë jam Çlirimi, jam 70 vjeç, me origjinë nga Berati dhe jetoj në Tiranë që prej vitit 1998. Në fakt kam ardhur që në vitin 1965, kam studiuar 7 vjet shkollat ushtarake dhe më pas kam kryer detyrën time për plot 16 vjet në Shkodër, më pas 7 vjet në Lushnje, 3 vjet në Berat, etj. Kam qënë në detyrë në Tropojë në vitin 1997 kur ndodhi shpërthimi i Picarit ku u plagosa së bashku me 7 ushtarakë të tjerë dhe ku 4 kolegë të mitë humbën jetën. Uniforma ushtarake më ka ndenjur mirë gjatë gjithë jetës, në kuptim figurativ, megjithëse nuk mund të them se ishte puna që ëndërroja kur isha i ri. Por atëherë zakonisht nuk ishim ne që zgjidhnim të ardhmen tonë por prindërit apo shteti. Më pelqen edhe Tirana moderne dhe nuk jam kundër ndryshimit por kam shumë nostalgji për atë Tiranë të dikurshme, sidomos për lagjen e Rrugës së Dibrës, apo për sheshin Skenderbej të dikurshëm dhe bulevardin ku përveç parakalimeve kemi bërë edhe shumë spartakjada. Sot që jam në pension, zgjohem çdo ditë në orën 6 të mëngjesit dhe më pëlqen të eci të paktën dy orë, pjesën tjetër të lëvizjeve nëpër qytet e bëj përherë vetëm me biçikletë.